
Autori i emisionit “Politiko”, Kushtrim Sadiku, ka reaguar pas largimit të panelistëve Xhavit Drenorit dhe Gazmend Halilajt nga studio, duke theksuar se detyra e tij si drejtues është të sigurojë një hapësirë të barabartë për të gjithë të ftuarit dhe të ruajë balancën e debatit.
Ai ka theksuar se në një studio televizive nuk mund të tolerohet inkriminimi i një subjekti politik apo i një individi, pasi një gjë e tillë cenon cilësinë dhe etikën e diskutimit publik.
“Ajo çfarë dua të them si drejtues i emisionit është se detyra ime është të garantoj një hapësirë të barabartë dhe të respektoj secilin nga mysafirët, ashtu siç i kam respektuar gjithmonë. Kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, por debati duhet të zhvillohet mbi bazën e fakteve, pa fyerje apo inkriminime ndaj subjekteve apo individëve. Një qasje e tillë nuk do të tolerohet,” ka deklaruar ai.
Megjithatë, Sadiku ka pranuar se secili panelist ka të drejtë të largohet nga debati nëse e sheh të nevojshme, pasi ky është një veprim politik që i takon secilit individ.
“Është e drejtë e panelistëve që të largohen nga diskutimi si një formë e shprehjes së qëndrimit të tyre politik. Këtë nuk mund t’ua ndaloj askujt. Gjithsesi, qëllimi i këtij emisioni mbetet të ofrojë një platformë me larmi mendimesh dhe të kontribuojë sa më shumë në interesin e publikut,” ka shtuar ai.
Largimi i Drenorit dhe Halilajt nga studio ndodhi pas një deklarate të Nijazi Kryeziut, i cili e quajti Lëvizjen Vetëvendosje “lëvizje kriminale”, një deklaratë që u prit me kundërshtime nga panelistët. /Gazeta10/