Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rrëfim rrëqethës në Kanal 10: Nëna tregon tmerrin e përjetuar gjatë luftës në Kosovë

Gazeta10
30 October 2026 - 22:38

Dy rrëfime tronditëse për dhunën ndaj grave dhe vajzave gjatë luftës së fundit në Kosovë po transmetohen sonte në emisionin “Adresa” në Kanal 10.

Njëra prej dëshmive prekëse është rrëfimi i një nëne, e cila kujton momentet e tmerrshme të ikjes gjatë luftës, kur, e rraskapitur nga rruga, shiu dhe balta, ishte detyruar të ndahej përkohësisht nga vajza e saj vetëm shtatëjavëshe.

Ajo rrëfen se karroca me të cilën po bartte gjërat nuk po mund të lëvizte për shkak të baltës, ndërsa foshnjës i kishte humbur vetëdija.

“Një karrocë të punëtorëve që bartin mallter e bajsha çikën, po s’ishojke rrota prej lloçit se shi i madh. Foshnja shtatëjavëshe i humbi vetëdija. Kuku, çka me ba? E kom qit çikën, e kom lanë te ura. Aty thashë: Zot, luftë, mos më shtiftë Zoti gjynah, se luftë veç me dhanë shpirt”, rrëfen ajo.

Nëna tregon se ishte aq e lodhur dhe e rraskapitur, saqë ndiente se nuk kishte më fuqi të vazhdonte.

“I kom mbyllë sytë edhe e kom lëshu çikën tokë. Si kem ecë pak, ka nisë beba me kajt. U kthy çika e madhe, gjashtë vjeçe, ka shku e ka kapë për toje të lulakit. I thashë: ‘O, leje!’, e m’tha: ‘O mam, nuk e la’”, kujton ajo mes dhimbjes.

Ajo tregon se i kishte kërkuar vajzës së madhe ta linte foshnjën për pak kohë, derisa të kalonte me fëmijët e tjerë, me shpresën se do të kthehej për ta marrë.

“I thashë: ‘Leje sa të kapërcej ty e djalit, e kthehna e marr’”, është një nga momentet më të rënda të këtij rrëfimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
31 October 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.