Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rusia akuzon Zvicrën se nuk është neutrale në raport me luftën në Ukrainë

Gazeta10
11 Gusht 2022 - 13:31

Rusia ka njoftuar se ka refuzuar një ofertë zvicerane për të përfaqësuar interesat e Ukrainës në Rusi dhe interesat e Moskës në Ukrainë, sepse nuk e konsideron më Zvicrën një vend neutral, shkruan Reuters, transmeton Gazeta10.

Zvicra ka një traditë të gjatë diplomatike për të vepruar si një ndërmjetës midis vendeve, marrëdhëniet e të cilave janë prishur, por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ivan Nechayev tha se kjo nuk ishte e mundur në situatën aktuale.

“Zviceranët ishin vërtet të interesuar për opinionin tonë mbi përfaqësimin e mundshëm të interesave të Ukrainës në Rusi dhe të Rusisë në Ukrainë”, u tha Nechayev gazetarëve.

“Ne u përgjigjëm shumë qartë se Zvicra për fat të keq kishte humbur statusin e saj të një shteti neutral dhe nuk mund të vepronte as si ndërmjetës dhe as si përfaqësues. Bern i është bashkuar sanksioneve të paligjshme perëndimore kundër Rusisë.”

Zvicra neutrale ka përkrahur pothuajse të gjitha sanksionet që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj ushtarake në Ukrainë.

Mediat zvicerane raportuan më parë se objektivi kryesor i propozimit zviceran do të ishte lejimi i ukrainasve që jetojnë në Rusi të marrin shërbime konsullore nga ambasada zvicerane në Moskë. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.