
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka bërë ndërlidhjen e sportit me krimin serb dhe fytyrën e vërtetë të Serbisë, duke u nisur nga ngjarjet e fundit në botëror.
Ai shkroi në Facebook se “pjesëmarrja e Serbisë në Kampionatin Botëror në Futboll, “Katar 2022”, hapi debatin e vetëm – zbulimin e vërtetë të fytyrës së Serbisë kriminale. Asgjë sportive. Asgjë fisnike”.
Sipas Musliut, mungesa e rezultateve sportive, duke u renditur ndër përfaqësueset më të dobëta, e bëri Serbinë dhe aparatin shtetëror e kriminal të tyre, që ta humbasin vëmendjen nga dështimi, ta rrisin nacionalizmin e shovinizmin serbomadh. “Sporti serb, dhe veçmas futbolli, është i mbuluar me skandale. Nën fanellat e futbollistëve të tyre, fshihen krimet e luftës, kontrabandistët e drogës, ata të cigareve dhe për fat të keq edhe ndonjë prift i Kishës Ortodokse Serbe” shkroi ai, raporton Express.
Musliu ka publikuar edhe një fotografi të vjetër ku shihet selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq me kriminelin Zhelko Razhnatoviq i njohur me nofkën Arkani.
Arkani ishte një kriminel serb dhe komandant i një force paramilitare gjatë luftërave në Jugosllavi , të quajtur Garda e Vullnetarëve Serbë. Njësiti i Arkanit kishte kryer krime lufte edhe në Kosovë. Arkani deri në vdekjen e tij ishte një nga kriminalët më të fuqishëm të Ballkanit. Ai u vra në janar 2000 para se gjyqi i tij mund të mbahej.
Në ndeshjen me Zvicrën, pas golit të Shaqirit, selektori serb, Stojkoviq, shau shqiptarët, pamje kjo që u kap edhe nga kamerat.