
Komuna e Prishtinës sot është duke u përballur me një kaos të madh në trafik si shkak i testimit të unazës njëkahëshe, raporton Gazeta10.
Mëngjesi i sotëm e ka gjetur kryeqytetin në një tollovi të madhe meqë testimi i kësaj unaze ka shkaktuar probleme edhe në rrugët e tjera të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës para dy ditëve kishte bërë një njoftim përmes së cilit ka thënë se disa rrugë do të bllokohen si shkak i testimit të unazës qarkore njëkahëshe nga 28 tetori deri më 30 tetor.
“Të dashur qytetarë,
Ju njoftojmë se, se nga dita e premte më datë 28 tetor deri të dielën më 30 tetor, vazhdon testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:
– Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë
– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Ukshin Hoti”
– Rruga “Robert Doll”
I gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Sot Prishtina e filloi testimin e kësaj rruge por pas shkaktimit të tollovisë së madhe, ka pasur pakënaqësi të qytetarëve lidhur me testimin e kësaj rruge gjatë ditës së punës.
Para pak minutave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ai ndoshta sot është njeriu më i urreyer në Kosovë.

“Sot ndoshta jam njeriu më i urryer në Prishtinë”, është shprehur Rama.