
Testimi i virgjërisë është paraparë si vepër e re penale, në kuadër të masave ndëshkuese për veprat penale të dhunimit që Qeveria e Kosovës i miratoi në mbledhjen e sotme, raporton Gazeta10.
Kjo vepër e re sanksionohet sepse konsiderohet se ky është test mjekësor i panevojshëm përmes së cilit shkelen të drejtat themelore njeriut.
Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë.
Qeveria në mbledhjen e 100-të që u mbajt sot ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që ashpërson dënimet kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”.
Haxhiu tha se është propozuar që për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje të shtohen si dënime plotësuese:
-Ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror
-Ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet
-Marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive
-Ndalimin e blerjes në ankande publike dhe shërbime tjera
-Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje tjera nga legjislacioni
-Për këto vepra do të shkurtohen afatet e gjykimit ashtu që të njëjtat nuk do të zgjasin më shumë se 1 vit./Gazeta10.