
Sulmuesi i Prishtinës, Valmir Veliu ka fituar çmimin e më të mirit të javës në Superligën e Kosovës.
Veliu me një gol dhe asist në ndeshjen kundër Dukagjinit, i ndihmoi skuadrës nga kryeqyteti që të arkëtoi pikët e plota në xhiron hapëse.
Prishtina triumfoi në fundjavë kundër Dukagjinit me rezultat 2-3, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori”.
Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.
“Të luash për Prishtinën është ëndërr e çdo lojtari. Jam ambientuar shumë mirë dhe shumicën e lojtarëve i kam njohur më herët. Të luash në Dukagjin është gjithmonë e vështirë, por ia dolëm të shënojmë fitore. Personalisht gëzohem që e kam ndihmuar ekipin me gol dhe me asistim. Ky çmim për mua është motiv të punoj dhe të ushtroj më tutje, si dhe të vazhdoj ta ndihmoj ekipin çdo javë. Prishtina, çdo vit, synim e ka titullin kampion ose daljen në Evropë.”
Sulmuesi anësor u transferua te Prishtina gjatë verës nga Llapi.
Ndeshjen e ardhshme, Prishtina e luan në “Fadil Vokrri” pikërisht kundër skuadrës nga Podujeva.