
Aleanca ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt të Këshillit të Përgjithshëm, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në vend, konsolidimi i brendshëm organizativ dhe procesi gjyqësor në Hagë.
Sipas njoftimit, gjatë pjesës së parë të mbledhjes, Këshilli i Përgjithshëm ka shqyrtuar dhe miratuar raportin e punës së Kryesisë së Aleancës, duke vlerësuar angazhimin në terren dhe dinamikën e re të organizimit dhe konsolidimit të strukturave të partisë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar edhe vendimit që pritet të shpallet nesër në Hagë për katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në prag të këtij vendimi, Këshilli i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Aleancës kanë shprehur bindjen e plotë dhe të palëkundur në luftën e drejtë, të pastër dhe të shenjtë të UÇK-së.
“Aleanca vlerëson se pastërtia e luftës sonë për liri është e padiskutueshme dhe e mbrojtur historikisht”, thuhet në qëndrimin e Këshillit të Përgjithshëm.