
Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Besa në aspektin juridiko-ekonomik, që kjo kompani të ndihmojë në harmonizimin e ligjeve të Kosovës për të rritur zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kapacitetet ligjvënëse, raporton Gazeta10.
Drejtori i Fondacionit Besa, Ilir Seferi ka thënë se ekspertët e këtij fondacioni kanë dalur me disa konstatime që pengesa kryesore për investime nga jashtë e shumë probleme të tjera në ekonomi janë si shkak që përpilimi i ligjeve në Kosovë nuk është bërë me akterët në terren.
“Përgjatë vitit 2022 ekspertët e fondacionit Besa në bashkëpunim me ndërmarrësit kosovarë, me ministritë, me shkollat profesionale, me donatorët dhe me të gjithë akterët relevant kemi konstatuar se pengesa kryesore për investime nga jashtë, implementimin e sistemit dual në terren, njohja e bonitetit të kompanive nga diaspora, bizneseve në Kosovë e shumë iniciativa të mira nuk kanë avancuar për shkak se ligjet në fuqi nuk janë bërë gjithmonë me akterët në terren. Janë ligje jo të përshtatshme për zhvillim ekonomik, për sigurim të resurseve humane për thithje të investimeve nga jashtë”, ka thënë ai.
Tutje, ai është shprehur se “Fondacioni Besa dhe ekspertët e angazhuar juridik e ekonomik do të bashkëpunojnë me të gjithë deputetët pa dallim partie që t’i avancojnë dhe harmonizojnë këto ligje”./Gazeta10