
Të dielën e ardhshme, në Turqi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, të cilat po cilësohen si më të rëndësishmet në 20 vitet e fundit, kjo pasiqë është hera e parë që opozita ka gjasat e mëdha që të rrëzojë nga pushteti presidentin aktual Rexhep Tajip Erdogan, raporton Gazeta10.
Sondazhet e fundit tregojnë se Erdogani është në garë të ngushtë me kandidatin kryesor presidencial të opozitës, Kemal Kilicdaroglu, i cili ka përkrahjen edhe të partisë pro-kurde, Partisë Demokratike Popullore (HDP), ish ministrin e jashtëm, Ahmet Davutoglu. Kilicdaroglu ka në krah edhe një politikane të fortë si Meral Aksener edhe kjo dikur anëtare e partisë AKP.
Në garë për president të Turqisë është edhe Muharrem Ince, dikur pjesë e partisë republikane popullore tani kryetar i partisë Atdheu, i cili shihet si një kandidat i cili do të dëmtojë opozitën turke për ta mundur Erdoganin në zgjedhjet e 14 majit.
Tubimi i mbajtur së fundi në Stamboll nga Partia e Erdoganit me partnerë ka rritur besimin e mbështetësve të Erdogan për një fitore të radhës, nderkohë një sulm me gurë ndaj kryetarit të Stambollit nga opozita Ekrem Imamoglu, gjatë një mitingu që ai po mbante në bastionin konservator të Erzurumit po shihet si një avantazh ndaj opozitës.
Pas publikimit të sondazheve aspak favorizuese ndaj presidentit aktual Erdogan, ky i fundit ka bërë lëvizjen e fundit duke rritur pagat e punonjësve me 45 %, 5 ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
“Ne po rrisim pagat me 45 %, duke përfshirë pjesën e mirëqenies. Kështu, ne po rrisim pagën më të ulët të punonjësve publikë në 768 dollarë në muaj”, tha presidenti.
Erdogan shtoi se do të vazhdojë të punojë për rritjen e pagave dhe pensioneve të nëpunësve civilë. “Në korrik kemi përgatitje të bazuara në diferencën e inflacionit dhe peshën e mirëqenies,” tha ai.
Presidenti Erdogan dhe koalicioni AKP dhe MHP ( Partia e Lëvizjes Nacionale) po mbështetën edhe nga partia e djalit të ish-kryeministirt të Turqisë, Nexhmettin Erbakan. Partia “Yeniden Refah” në krye me Fatih Erbakan si dhe nga partia kurde HUDA PAR.
Në lidhje me fushatën që po zhvillohet në Turqi, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gazetari i njohur në Turqi, Abdylvehab Ejupi ka shkruar se zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi janë të rëndësishme jo vetëm për popullin turk, por edhe për rajonin dhe botën.
Sipas tij rezultatet e zgjedhjeve do të kenë implikime të rëndësishme si për politikën kombëtare ashtu edhe për atë ndërkombëtare.
Ejupi ka shkruar edhe për ndërhyrjet që sipas tij po bëhen nga jashtë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.
“Ndërhyrjet perëndimore në zgjedhjet turke vetëm se rrisin ndjenjat anti-perëndimore në Turqi duke përforcuar perceptimin se fuqitë perëndimore po ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit dhe po përpiqen të imponojnë interesat e tyre. Gjithashtu shihet si shkelje e sovranitetit dhe pavarësisë së vendit, rrjedhimisht përforcon perceptimin se Perëndimi është armiqësor ndaj interesave të Turqisë. E gjithë kjo çon në pakënaqësi dhe mosbesim më të madh ndaj Perëndimit”, ka shkruar Ejupi, raporton Gazeta10.
Sipas tij ndërhyrjet e tilla në zgjedhjet e Turqisë jenë kontraproduktive, dhe vetëm fuqizojnë bllokun kombëtar të udhëhequr nga presidenti Erdoğan.
Në mbështetje të presidentit aktual turk ka dalë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili përmes një video –mesazhi ka folur për Erdogan duke e cilësuar si një mik të mirë të shqiptarëve në kohë të vështira si tërmeti apo edhe pandemia. Rama shtoi se me presidentin Erdogan në krye, Turqia mbështeti vendin tonë në tërmetin e nëntorit ndërsa njohu dhe Kosovën si shtet i pavarur.
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti Erdogan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Turqia ishte e para e cila e deklaroi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, tek tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Turqia mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët ishin shumë të zënë me hallin e tyre. Për mua personalisht Presidenti Erdogan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, tha Rama.
Ekonomia në vështirësi e vendit, e cila po ulet gjithashtu pas tërmeteve të dyfishta shkatërruese të vendit në shkurt, ka qenë një goditje e madhe për fushatën e Erdoganit për rizgjedhje.
Presidenti, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet, po bën fushatë me një premtim për ulje të normave të interesit si një mënyrë për të trajtuar krizën ekonomike. Ai ka premtuar gjithashtu të ulë inflacionin në një shifër dhe të nxisë rritjen ekonomike. /Gazeta10/