
Raporti: Bleona Dallaveraj
Nga shkurti i këtij viti, asnjë e mbijetuar e dhunës seksuale nuk ka mundur të aplikojë për statusin e viktimës, për shkak të mungesës së aspektit ligjor. Organizatat që merren me këtë kategori, kanë kërkuar që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
Të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovës, nuk po mund të aplikojnë për statusin e viktimës.
Kjo, pasi plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm edhe për dy vjet, ende është në shqyrtim.
Si pasojë e kësaj, asnjë viktimë e dhunës seksuale, që nga shkurti i këtij viti nuk ka mundur të aplikojë pranë komisionit qeveritar, në mënyrë që ta gëzojë pensionin.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
E zhgënjyer me këtë proces u shpreh edhe drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj.
Ndërkohë, drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu, ka theksuar se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin e familjes e shoqërisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre.
E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2014, derisa, pensioni mujor është 230 euro.