Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Shpallja e organizatave terroriste, DASH-i thotë se ekzekutivi s’u koordinua me ta

Gazeta10
30 June 2023 - 20:17

Megjithëse, nga ekzekutivi kanë deklaruar se ka pasur koordinim me faktorin ndërkombëtar për shpalljen e dy organizatave në veri, si terroriste, një gjë e tillë është mohuar nga aleatët. Nga Departamenti amerikan i Shtetit kanë thënë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me ta për këtë çështje. Ky veprim, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, raporton Gazeta10.

Tri ambasada të shteteve të fuqishme e kanë demantuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se institucionet e Kosovës janë koordinuar me faktorin ndërkombëtar për shpalljen si terroriste të dy organizatave në veri.

Një vendim të tillë për “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, ekzekutivi i vendit e ka marrë të enjten.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së këtyre dy organizatave si terroriste.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.”

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nuk ka dashur të flasë, nëse ka pasur koordinim me faktorin ndërkombëtar për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste.

Por, sipas kryediplomates, organizatat që ushtrojnë terror mbi qytetarët dhe institucionet nuk kanë vend në Kosovë.

Por, për këtë moskoordinim me aleatët kanë reaguar nga opozita.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Qeveria Kurti, çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nëse për çështje kaq të ndjeshme të sigurisë qeveria nuk koordinohet me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, e megjithatë deklarohet se ka pasur koordinim me ndërkombëtarët, pyetja është me kë janë bashkërenduar?!!! Me cilët ndërkombëtarë? Me këtë qasje avantureske nuk po rrezikohet vetëm veriu i vendit, por tërë Kosova dhe gjithçka që është arritur me shumë mund dhe sakrificë.”

Përveç SHBA-së, edhe Britania e Madhe dhe Gjermania kanë deklaruar se nuk ka pasur koordinim me ta, lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, të enjten, ka marrë vendim që dy organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen si terroriste, pasi sipas ekzekutivit kosovar, pjesëtarët e saj përbëjnë rrezik serioz për shtetin e Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.