
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në një intervistë për RTV Sllovenia tha se njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i vendit në NATO dhe sanksionet ndaj Rusisë si pjesë e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian janë çështje të përfunduara.
“Ju e dini se ishte zoti Gjukanoviq ai që e futi çështjen e kishës në politikën e përditshme… Mendoj se tani politikanët në Mal të Zi janë fokusuar diku në temat që janë me rëndësi thelbësore për qytetarët, përkatësisht standardet ekonomike dhe të jetesës, sundimi i ligjit dhe integrimi europian. Ndërsa ata na ndanë dhe fokusuan në ato ndarje, ajo që ndodhi ishte se një rreth i vogël njerëzish të lidhur me strukturën e mëparshme qeverisëse u pasuruan shumë, duke i frikësuar vazhdimisht njerëzit dhe duke promovuar gënjeshtra të ndryshme për këtë apo atë ndikim në Mal të Zi, që zgjati për kaq gjatë për autoritetet”, tha ai.