
Vetëm katër logopedë që trajtojnë fëmijë me probleme në të folur, punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku shërbimet i ofrojnë falas.
Udhëheqësit e Shërbimit të Logopedisë thonë se kërkesat për seanca logopedie e tejkalojnë disponueshmërinë e specialistëve dhe kjo bën që pritjet e atyre në nevojë, të zgjaten.
Në institucionet private, seancat 2-3 herë në javë, për një muaj, janë tejet të kushtueshme për disa.
“Një logoped më ka kërkuar 500 euro në muaj”, tregon nëna e një vajze katër vjeçe, e cila ka vështirësi në artikulimin e fjalëve.
“Nuk kemi pasur mundësi t’ia ofrojmë, sepse në familjen tonë punon vetëm bashkëshorti me një pagë prej 350 eurosh në muaj”, thotë ajo, pa dashur të identifikohet.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në Shërbimin e Logopedisë në QKUK, ku po aranzhonte seancat për vajzën e saj.
Në listë të pritjes thotë se ishte për më shumë se një vit.
“Vajza e kupton bisedën, reagon kur e thërret, por nuk flet”, tregon e ëma.
Thotë se kur ishte tri vjeçe, e vogla shqiptonte vetëm fjalët mam’ dhe bab’ dhe se vazhdon të artikulojë vetëm një numër të kufizuar fjalësh.
Specialistët thonë se numri i fëmijëve me probleme në të folur është në rritje dhe këtë ia atribuojnë përdorimit të vazhdueshëm të pajisjeve teknologjike.
Këtë e pranon edhe nëna e 4-vjeçares.
“Pa i bërë një vit ia kam lënë telefonin, por jo shumë, një ose dy orë në ditë. Shumë ka dëshirë ta përdorë. Shikon filma të vizatuar”, thotë ajo.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Shërbimit të Logopedisë në QKUK, Zahide Uka Rraci, thotë se gjatë gushtit në këtë repart janë duke u trajtuar 72 fëmijë nga gjithë territori i Kosovës.
Me ta, thotë ajo, merren katër logopedë.
“Shumica e rasteve janë deri në moshën pesëvjeçare, të ndara në tri grupe. Shërbimet i marrin nga dy herë në javë”, tregon Uka Rraci.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo shpjegon se gjatë seancave të stimulimit, është vërejtur se përdorimi i teknologjisë dhe i aplikacioneve të ndryshme në gjuhën angleze, ka bërë që ata të kenë zhvillim të vonshëm në të folur.
Sipas saj, prindërit i ekspozojnë fëmijët përpara ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit me shpresën për t’i qetësuar, por ata “e dëmtojnë zhvillimin e tyre në të folur apo në të ndërvepruar me mjedisin”.