
Veprimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti në fushën e sigurisë, për Partinë Sociale Demokrate janë veprime elektorale.
Kështu u tha nga vetë anëtari i kësaj partie, Asdren Shala në “Politiko” të Kanal10.
Sipas tij, kryeministri Kurti duke e mbajtur tensionin për luftë mes dy shteteve fqinj po tenton ta largojë vëmendjen nga premtimet e dështuara.
“Për PSD-në është e qartë, është një nga ato veprimet e Kurtit për fushatë elektorale, për konsum të brendshëm elektoral. Ky theksi i luftës Kurtin e ka mbajt gjallë edhe tensionin. Kur fol për digjitalizim…, ti automatikisht je ka thu që lufta është gati, ne duhet me u bo gati për këtë pjesë”, deklaroi ai.
Për Shalën, Kurti është veteran i rrejshëm pasi sipas tij, ai kishte ikur akoma pa përfunduar lufta.
“Ironia është që Kurti me letra është dezerter i UÇK-së, ministri i ekonomisë, Hekuran Murati i quan mercenarë veteranët e luftës. Është fakt, Kurti është veteran i rrejshëm, hala pa marrë fund lufta në Kosovë Kurti ka ik prej UÇK-së. E dyta, Hekuran Murati i ka quajtur mercenarë veteranët e UÇK-së, qe kush është duke fol për luftë. Për mua është qesharake”, tha ai.
E deklaratat e kryeministrit Kurti për ndërtime të fabrikave për armë, për Shalën ngjasonin me premtimet e dikurshme të ish-presidentit Rugova. /Gazeta10/