
Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka thënë se FSK-ja duhet të jetë në çdo cep të territorit të Kosovës, përfshirë edhe veriun.
Megjithatë, Vokrri ka theksuar se kjo vendosje e FSK-në veri nuk mund të bëhet si shkak i një marrëveshjeje që është nënshkruar nga qeveria paraprake.
“FSK-ja është e nevojshme që të jetë në të gjithë territorin e kufijve të Kosovës dhe sidomos në veri, por është një marrëveshje apo zotim që një qeveri tjetër e ka marrë para nesh”, ka thënë Vokrri në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Për më tepër, Vokrri ka bërë me dije se pas shpërthimit në Zubin Potok, ka pasur kërkesë që FSK të vendoset atje, por që e njëjta ishte refuzuar nga KFOR-i.
“Çdo shtet duhet me pasë të drejtën dhe mundësinë e vetë me realizu sovranitetin e vet edhe në kuptimin e sigurisë. Ka pasur kërkesa për dislokimin e FSK-së në veri, por nuk është lejuar nga KFOR-i duke u bazuar në marrëveshje të mëhershme. Ka pasë kërkesë mënjeherë pas shpërthimit, por ka pasë edhe më herët”, ka thënë Vokrri teksa i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sadiku.
Tutje, zëvendësministri ka dhënë detaje të reja edhe për kërkesat e mëhershme që janë bërë nga institucionet për vendosen e FSK-së në veri.
“Madje, madje ka pasë edhe qëndrim të vendosur që nëse ka humbje të madhe të jetës në mesin e policëve të Republikës së Kosovës gjatë ballafaqimit me terroristët, FSK do të shkojë atje pa hezitim”, ka thënë Vokrri. /Gazeta10/