
Kryetari Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini është bashkuar në protestën ku po kundërshtohet vendimi i ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.
Shahini në linjë të drejtpërdrejt për emisionin “Adresa e Ankesave” në Kanal10 iu kundërpërgjigj kryeministrit në detyrë, lidhur me deklarata e dhëna në mbledhjen e Qeverisë.
Sipas tij, kjo protestë nuk mund të krahasohet me ato të pjesës veriore, për disa arsye.
“Së pari kjo nuk ka të bëj me veriun asgjë, sepse veriu përpos që ka bllokuar rrugë, kanë qenë edhe të dhunshëm, ata kanë kërkuar çështje politike, ne po kërkojmë çështje që kanë të bëjnë me avancimin e shtetit tonë. Numri i bizneseve të cilat janë të prekura nga kjo rritje janë 1300 biznese. Qeveria e Kosovës, me këtë po tregon se e ka nën kontroll ZRRE-në, nuk është e pavarur po kërkojmë ti lirojnë këto biznese nga kjo barrë”, tha ai.
Në të gjitha lokacionet e grumbulluara, Shahini bëri me dije se një trakë është e liruar për rastet urgjente.
“Ne duke e pa të arsyeshme që protesta jonë e arrin efektin edhe duke mos i bllokuar të gjitha rrugët me marrëveshje me Policinë e Kosovës, kemi arritur që një trakë të jetë e lirë, për raste urgjente, për KFOR-in. Por efekti i kësaj proteste është duke u arritur sepse janë me qindra mijëra kamiona në katër anët e Prishtinës, dhe këto protesta janë me kërkesë të bizneseve që janë duke protestuar për të drejtën e vet”.