
Baton Zabërgja ka kompletuar transferimin te skuadra e njohur ukrainase, Metalist 1925.
Zabërgja ka nënshkruar kontratë trivjeçare me Metalist, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Skuadra nga Ukraina ka shpenzuar plot 800 mijë euro për transferimin e sulmuesit nga Vushtrria.
24-vjeçari kishte pasur një edicion fantastik me Dinamo City në Shqipëri, ku sezonin e kaluar shënoi 15 gola dhe asistoi në 10 të tjerë në 42 paraqitje në të gjitha garat.
Po ashtu, sulmuesi i Kosovës ishte lojtar kyç i Ilir Dajës edhe në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku Dinamo është në play-off për inkuadrim në fazën e ligës.
Metalist gjatë prezantimit të futbollistit ka bërë të ditur se ai është ftuar nga kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e shtator kundër Zvicrës dhe Suedisë, që do të luhen në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, Zabërgja ka qenë rregullisht në listën e Franco Fodës, ndërsa debutoi në qershor me fanellën dardane në miqësoren kundër Armenisë.
Me formën e mirë që po kalon, sulmuesi nga Vushtrria mund të ketë minutat e para me “Dardanët” në ndeshje zyrtare.