
Ambasadori dhe miku i njohur i Kosovës, William Walker, i ftuar sonte si musafir special në emisionin Politiko, ka folur hapur për raportin e tij me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke sqaruar se mbështetja e tij nuk ka qenë personale, por e lidhur me frymën qytetare dhe demokratike që ai kishte vërejtur në atë kohë, shkruan Gazeta 10.
Walker theksoi se përkrahja e tij ka të bëjë me fazën e formimit të Vetëvendosjes, kur ishte dëshmitar i entuziazmit të madh të qytetarëve nëpër fshatra dhe qytete të Kosovës. Sipas tij, ky mobilizim i njerëzve i kishte lënë përshtypje të thellë, pasi e kishte parë si shenjë të lindjes së një demokracie të vërtetë.
“Unë nuk e kam mbështetur në mënyrën se si po më thoni ju. E kam mbështetur formimin e Vetëvendosjes, kur pashë entuziazmin e turmave. Nuk e di saktë cili vit ka qenë, ndoshta 2010 apo 2011. Ishte pikërisht ai entuziazëm që më bëri të mendoj se një parti politike që i përfaqëson ata njerëz do të sillte demokraci reale në këtë vend”, u shpreh Walker.
Ai sqaroi se nuk e kishte mbështetur Albin Kurtin si individ, duke kujtuar edhe takimet e hershme me të, kur Kurti ishte shumë më i ri. Megjithatë, Walker theksoi se ka respekt për institucionin e Kryeministrit dhe beson se Kurti po përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme për të ardhmen e Kosovës.
Ambasadori vlerësoi gjithashtu qasjen e Kurtit ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë se i pëlqen fakti që ai, herë pas here, ua kthen fjalën aktorëve ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, jo gjithmonë kanë vepruar në dobi të Kosovës. Në këtë kontekst, Walker përmendi veçanërisht idenë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën e cilësoi si problematike për vendin./Gazeta10
Deklarata e plotë: