
Komentatori politik Xhavit Drenori ka deklaruar se, pavarësisht qëndrimeve personale apo vlerësimeve subjektive, roli institucional i Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit duhet të trajtohet me korrektësi dhe pa ulur nivelin e debatit publik.
Sipas Drenorit, Dimal Basha ka qenë kryetar i Kuvendit i zgjedhur në mënyrë demokratike nga delegatët dhe përfaqësuesit e votuar, prandaj çdo vlerësim ndaj veprimeve të tij duhet të mbështetet në fakte dhe procedura, e jo në etiketime. Ai ka theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës, Basha ka thirrur plot tetë herë, nga tri seanca votimi, për zgjedhjen e institucioneve, por që këto votime nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Proceduralisht, Basha ka vepruar krejtësisht në rregull. Ai nuk mund të detyrojë asnjë deputet të votojë, as dje e as nesër”, ka deklaruar Drenori.
Sipas tij, pas dështimit të votimeve, kalimi te kandidati i Listës Serbe ka qenë një hap i paraparë proceduralisht dhe nuk përbën shkelje.
Drenori ka shtuar se Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin e saj, do të duhej të kishte sqaruar edhe më tej procedurën, duke theksuar se në raste të tilla nuk ka nevojë për votim të ri, por se përfaqësuesi i komunitetit serb nga subjekti me më së shumti vota duhet të mandatohet automatikisht.