
Analisti Visar Xani ka deklaruar se në skenën politike po tentohet të ndërtohet një narrativë e re për ta paraqitur opozitën si bllokuese dhe fajtore për zhvillimet e fundit.
I ftuar në emisionin “Politiko” në Kanal10, ai tha se kjo qasje vjen në një moment kur vendi është shumë pranë zgjedhjeve të reja.
“Po tentohet të nxirret opozita si bllokuese dhe fajtore edhe për dështimin e zgjedhjes së presidentit, që nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të krijuar një diskurs të ri politik në prag të zgjedhjeve,” u shpreh Xani.
Ai shtoi se ka një reflektim të vonuar nga ana e pushtetit, duke përmendur edhe atë që e quajti “pishmanllëk”, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti, për shkak të rrezikimit të rezultatit zgjedhor.
Sipas Xanit, përgjegjësia për situatën aktuale duhet të ndahet në mënyrë të drejtë mes të gjitha subjekteve politike, ndërsa vendi tashmë ndodhet në një fazë të ndjeshme, me masa të përkohshme dhe mundësi reale për zgjedhje të reja.