
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në Adresa tha se procesi i vetingut në institucionet e sigurisë duhet të jetë prioritet para çdo iniciative për krijimin e strukturave të reja të sigurisë, përfshirë edhe xhandarmërinë.
Sipas Mujës, në institucionet e sigurisë vazhdojnë të ekzistojnë struktura me veprimtari të dyshimta, të cilat nuk janë larguar ende nga pozitat e tyre.
“Veprimtaria e tyre ka qenë e dyshimtë. Fatkeqësisht as kjo qeveri nuk ka arritur që t’i mënjanojë këto struktura prej këtyre pozitave dhe mendoj se edhe nëse do të formohej një xhandarmëri ose forcë tjetër, nuk mund ta zëvendësojë rolin e vetingut”, tha Muja.
Ai theksoi se procesi i vetingut është parësor dhe duhet të realizohet para çdo reforme tjetër në sektorin e sigurisë.
“Vetingu është parësor dhe duhet të kryhet para se gjithash”, u shpreh ai.
Duke folur për idenë e krijimit të xhandarmërisë, Muja tha se roli dhe funksioni i saj varen nga modeli që do të zbatohej, pasi sipas tij, xhandarmëritë në vende të ndryshme kanë kompetenca dhe organizime të ndryshme.
“Xhandarmëria është një emër që varet shumë prej përmbajtjes. Në vende të ndryshme ato kanë funksione dhe kompetenca të ndryshme”, tha profesori i shkencave politike.
Megjithatë, ai vlerësoi se për shkak të situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe kufizimeve që ka Forca e Sigurisë së Kosovës në atë pjesë, një strukturë e tillë do të mund të kishte rol të caktuar ndërmjet Policisë së Kosovës dhe FSK-së.
“Për shkak të situatës në veri, xhandarmëria si një forcë që do të operonte ndërmjet Policisë dhe FSK-së do të kishte qenë ide e mirë, por çështjet e koordinimit dhe përzierjes së kompetencave duhet të sqarohen”, deklaroi Muja.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/pXMiDuvMaF8