
Analisti politik Krenar Shala ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë që Lumir Abdixhiku të merrte postin e presidentit të Kosovës, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Duke folur në emisionin “Politiko”, Shala tha se një skenar i tillë mund të përfshinte edhe ndonjë përgjegjësi qeveritare, ndërsa vlerësoi se kryeministri Albin Kurti do të mund ta pranonte një propozim të tillë.
Sipas Shalës, një marrëveshje e tillë do të mund të kishte edhe një efekt strategjik në skenën politike, pasi do të çonte në largimin e Lumir Abdixhikut nga drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Besoj se në fund Lumiri do të ishte i gatshëm ta pranonte të bëhej president dhe të merrte ndonjë përgjegjësi tjetër politike. Zoti Kurti, besoj, do ta miratonte këtë propozim dhe kështu do të arrinin një synim strategjik: largimin e Lumirit nga LDK-ja”, ka thënë Shala.