
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndryshojë qasjen ndaj Beogradit.
Në një intervistë për Kanal10, të realizuar në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime pas dyshimeve për ekzistimin e një varreze masive me mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Sveçla tha se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtat politika dhe metoda si në të kaluarën.
Sipas tij, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë se Serbia nuk ka ndryshuar dhe se, sipas tij, politika e “ledhatimit” ndaj saj nuk ka sjellë rezultate.
“Serbia vazhdon me të njëjtat metoda dhe të njëjtën sjellje. Është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare t’i hapë sytë dhe ta kuptojë se Serbia është e njëjta. Duke e ledhatuar atë nuk ndryshon. Serbia duhet të vihet nën presion të vazhdueshëm nga e gjithë bota demokratike, e jo të ledhatohet, në mënyrë që të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe shqiptarëve”, tha Sveçla për Kanal10.
Ai shtoi se demokratizimi i Serbisë është çështje e qytetarëve të saj, por theksoi se për Kosovën mbetet thelbësore që shteti serb të japë llogari për të kaluarën.
“Për ne është e rëndësishme që Serbia ta paguajë çmimin për të gjitha krimet dhe gjenocidin që ka kryer në Kosovë”, u shpreh ai.
Sveçla kritikoi edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë, duke përmendur presidentin Aleksandar Vuçiq, ministrin Ivica Daçiq dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë serbe, për të cilët tha se vazhdojnë të përdorin retorikë që nxit tensione. Ai përmendi edhe deklarata të zyrtarëve serbë, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se elita politike në Serbi nuk është distancuar nga politikat e së kaluarës.
Deklaratat e Sveçlës u bënë gjatë vizitës në Zubin Potok, ku institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me mekanizmat përkatës, po zhvillojnë gërmime në një lokacion që dyshohet se mund të fshehë mbetje mortore të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë./Gazeta10
Video e plotë: