Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti pas takimit me Kallas në New York: Kërkova përkrahjen e BE-së për Banjskën dhe drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së

Gazeta10
22 September 2026 - 21:27

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Përmes një postimi, Kurti tha se gjatë takimit ka kërkuar përkrahjen e Bashkimit Evropian për ushtrimin e trysnisë ndaj Serbisë lidhur me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurti tha se ka kërkuar që Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur përgjegjës për sulmin të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai shprehu shqetësimin e tij për dënimet, duke e cilësuar procesin si jo mjaftueshëm transparent dhe theksoi se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.

“Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit”, shkroi Kurti.

Ai foli edhe për luftën e UÇK-së dhe zhvillimet gjatë viteve 1998–1999, duke akuzuar Serbinë për represion, vrasje, dëbime dhe krime ndaj popullsisë civile. Kurti tha se shumë prej krimeve të forcave serbe ende nuk janë ndëshkuar.

Një tjetër çështje që, sipas tij, është ngritur në takim ka qenë situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti tha se shqiptarët atje përballen me, siç e përshkroi ai, “nënpërfaqësim të theksuar” në institucionet e Serbisë dhe me “spastrimin etnik administrativ” përmes heqjes së adresave.

Në fund të postimit, Kurti theksoi orientimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euro-atlantike.

Ai tha se Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe se, sipas tij, “përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit” do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.