Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tahiri: Vendimi i 16 shtatorit është “padrejtësi historike”, duhet të ndërmarrim veprime

Gazeta10
22 September 2026 - 23:03

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Speciale në Hagë është i rëndë dhe i vështirë për Kosovën dhe shqiptarët.

Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Tahiri tha se qytetarët në të gjithë Kosovën kanë reaguar ndaj, siç e quajti ai, një “padrejtësie historike” ndaj themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është e rëndë e vështirë për shtetin e Kosovës, për kombin shqiptar, për të gjithë ne, për shkak se jemi ballafaquar me një padrejtësi historike”, tha Tahiri.

Ai theksoi se reagimet nuk kanë qenë vetëm qytetare, por edhe institucionale, duke shtuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës e konsiderojnë përgjegjësi të tyre që të ndërmarrin veprimet e nevojshme.

Tahiri bëri të ditur se PDK-ja ka draftuar amendamente ligjore, të cilat, sipas tij, janë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat në fuqi.

“Kemi draftuar amendamente ligjore të cilat janë në përputhje edhe me Kushtetutën, edhe me ligjin, edhe me rregullat, mirëpo edhe me normat morale shtetërore”, tha ai.

Sipas Tahirit, këto iniciativa nuk e cenojnë marrëveshjen ndërkombëtare dhe as Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por synojnë që juridiksioni i Gjykatës Speciale të rikthehet te qëllimi për të cilin, sipas tij, është themeluar.

Ai tha se baza e krijimit të kësaj gjykate lidhet me raportin e Dick Marty-t dhe kërkesën e Kuvendit të Kosovës për themelimin e saj.

“Ne e dimë që Gjykata Speciale, arsyeja bazike pse ka lindur, mandej edhe ka qenë kërkesë e Kuvendit të Kosovës për me e themelu, ka qenë raporti i Dick Marty-t. Andaj iniciativa e ka këtë qëllim, që juridiksioni i Gjykatës të kthehet pikërisht në bazën për të cilën është krijuar”, deklaroi Tahiri./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.