
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së Aleancës, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Gjini ka thënë se AAK-ja mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, duke theksuar se ndihma ligjore për ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtave shtetërore të Kosovës nuk duhet të përzihen me politika partiake.
“Procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës sonë shtetërore, në asnjë moment të mos e ngatërrojmë me politika partiake”, ka shkruar Gjini.
Ai është shprehur kritik edhe ndaj zvarritjes së procesit për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi po i afrohet fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, tendencat për manovra me afate dhe dërgimin e lëndëve të reja në Gjykatën Kushtetuese mund të krijojnë edhe më shumë paqartësi për qytetarët.
Gjini ka theksuar se Aleanca, sipas tij, ka qenë konsistente dhe konstruktive në çështjet që lidhen me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, ka deklaruar ai.