Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

81 biznese online regjistrohen pas paralajmërimit për gjoba, MINT nis inspektimet më 1 nëntor

Gazeta10
31 October 2026 - 9:14

Vetëm gjatë dy javëve të fundit, 81 biznese online janë regjistruar në sistemin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), pas paralajmërimit për nisjen e inspektimeve dhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që operojnë jashtëligjshëm. Numri i bizneseve të regjistruara aktualisht është në 180, ndërsa afati për regjistrim përfundon të shtunën 31 tetor.

 Nga 1 nëntori, MINT do të nisë kontrolle të shtuara ndaj bizneseve online dhe kompanive postare, ku do të verifikohet nëse posedojnë certifikatë të regjistrimit nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe numër fiskal nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Bizneset që nuk i përmbushin obligimet ligjore do të përballen me gjoba, në kuadër të përpjekjeve për luftimin e informalitetit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Ndërkohë, nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë bërë të ditur se aktualisht janë rreth 660 tatimpagues të regjistruar që realizojnë shitje online.

Vendimi është mirëpritur edhe nga kompani postare, por me kërkesën që kontrollet të jenë të vazhdueshme dhe të mos mbeten vetëm një aksion mediatik.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, për KosovaPress ka sqaruar se kontrollet do të realizohen në dy forma, përmes verifikimit të platformave online dhe inspektimeve të drejtpërdrejta, bazuar edhe në ankesat e konsumatorëve.

 “Aktualisht në sistemin tonë janë 180 biznese të regjistruara me veprimtari online, ndërsa vetëm në këto dy javët e fundit kur kemi bë paralajmërimin se mund të fillojmë me inspektime dhe do të ketë gjoba për ata që operojnë jashtëligjshëm, janë 81 biznese dhe regjistrimi po vazhdon.. Inspektimet janë në dy forma, e para janë verifikimi i platformave online dhe ofrimit të shërbimeve që janë për territorin e Kosovës dhe inspektimet e drejtpërdrejta në bazë të kërkesave apo raporteve të paraqitura tek departamenti për mbrojtjen e konsumatorit, gjobat janë të parapara me ligjin për procedurën administrative, varësisht prej nivelit të shkeljes.”, ka thënë Kusari Lila.

 

Ndërkohë, zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi, ka bërë të ditur se në ATK figurojnë rreth 660 tatimpagues të regjistruar që realizojnë shitje nga shtëpia, ndërsa qarkullimi i deklaruar nga kjo kategori ka shënuar rritje prej 18 për qind.

Sipas saj, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti janë deklaruar 87.7 milionë euro, krahasuar me 73.9 milionë euro në periudhën e njëjtë krahasuese.

Bytyqi ka theksuar se identifikimi i bizneseve që operojnë përmes rrjeteve sociale dhe platformave online mbetet sfidë, pasi një pjesë e tyre nuk publikojnë adresë apo të dhëna kontakti.

 “Ne kemi diku 660 tatim pagues të regjistruar të cilët shesin nga shtëpia, por që nuk përjashtohet edhe mundësia që të njëjtit të kenë edhe dyqane fizike. Nga këto për periudhën janar-gusht të këtij viti kemi diku 87.7 milion euro të deklaruar, përderisa në periudhën e njëjtë kemi pasur 73.9 milion euro që kemi rritje për 18 përqind më shumë”, ka thënë ajo.

Vendimin për shtimin e inspektimeve e ka mirëpritur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, i cili ka biznes familjar dhe ka vlerësuar se mbikëqyrja institucionale është e nevojshme për identifikimin e parregullsive në treg.

Megjithatë, ai ka kërkuar që gjatë këtij procesi institucionet të marrin parasysh edhe vështirësitë me të cilat përballen bizneset e vogla dhe familjare, duke u ofruar mbështetje në procesin e formalizimit dhe zhvillimit të tyre.

 “Vendim i duhur që duhet të ketë çdo herë angazhim të institucioneve për mbikëqyrjen e të gjithave, aktiviteteve biznesore që bëhen në vendin tonë. Është një vendim i mirë për të pa të gjitha parregullsitë, sepse ka kategori, e cila është në zhvillim e sipër sidomos në vendin tonë. Besoj që gjatë këtij procesi do të shohin edhe problemet të cilat kanë këto biznese që kryesisht janë të vogla familjare, që kanë nevojë për dorën e shtetit dhe ndihmesën e tyre qoftë edhe për angazhim në formalizmin të biznesit por edhe përmirësim e rritje të kësaj kategorie.”, ka thënë Rrahmani.

 

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i një kompanie postare në Kosovë, Kujtim Hajredini, ka mirëpritur nisjen e kontrolleve, por ka kërkuar që ato të mos kufizohen në një aksion të përkohshëm.

Ai ka ngritur shqetësime për parregullsitë në sektorin e dërgesave postare, duke përmendur mosdeklarimin e të hyrave si nga bizneset që dërgojnë mallra, ashtu edhe nga kompani të caktuara postare.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se kërkesat e MINT-it për regjistrimin e bizneseve është vetëm hap fillestar.

 “Kompania jonë e mirëpret këtë vendim dhe shpresojmë se nuk do të jetë vendim Ad-Hoc, por i vazhdueshëm dhe nuk është vetëm aksion mediatik. Në industrinë e postave të shpejta ka parregullsi, si nga dërguesit që dërgojnë dërgesa dhe nga kompanitë postare që nuk i deklarojnë në mënyrë të rregullt të hyrat e tyre… 2:39 Nuk jam i kënaqur me mënyrën çka kanë kërkuar MINT, është shumë bazike, që të jetë i regjistruar është bazikja më e mundshme”, ka thënë ai.

Inspektimet që pritet të fillojnë më 1 nëntor synojnë identifikimin e bizneseve që ushtrojnë veprimtari pa regjistrim, rritjen e formalizimit të tregtisë elektronike dhe sigurimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë./kp

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
31 October 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.