
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka deklaruar se sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë, kjo për shkak se kontrata që ka pasur ndërmarrja publike “Kosova Thëngjilli” me KEK nuk është aktive, raporton Gazeta10.
“Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli”, ka shkruar Hoti.
Ish kryeministri Hoti në fund ka shtruar pyetje se pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera?
Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike? /Gazeta10/