
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukturës, Liburn Aliu ka demantuar lajmet se KFOR-i e ka ndaluar që të takojë kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.
Në reagimin e tij thuhet këto lajme janë të pavërteta, raporton Gazeta10.
Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi, janë të pavërteta.
“Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim”, ka shkruar Aliu.
Aliu ka thënë se ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth.
“Spekulimet e tilla, i’u shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje”, ka shkruar tutje Aliu.
Ai në fund ka falënderuar kryetarin Lulzim Hetemi, për siç ka thënë ai qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj.