Gazeta10

Bislimi, ndërkombëtarëve: Nuk sakrifikojmë sovranitetin për largimin e Serbisë nga orbita ruse

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova është e përkushtuar në dialog, por se nuk mund t’i ndjekë kërkesat e Serbisë duke hequr dorë nga sovraniteti i brendshëm i saj. Në “Interaktiv” të KTV-së, Bislimi ka deklaruar se sovraniteti nuk mund të sakrifikohet për “hir të interesave të ndërkombëtarëve, që Serbia të largohet nga orbita ruse”.

Bislimi ka thënë se kërkesat për largim nga zyra të kryetarëve të rinj në veri, nuk janë nga ndërkombëtarët, por janë prezantuar si kërkesa të palës serbe. “Është kërkesë që e ka pronarin origjinal Serbinë”, ka thënë ai.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të thotë që për hir të interesave të ndërkombëtarëve që Serbia të largohet nga orbita ruse, ne sakrifikojmë sovranitetin tonë, ne nuk do të ishim qeveri që meriton të jetë në qeveri. Ne po themi në qoftë se ka vullnet të bashkësisë ndërkombëtare për t’i vendosur masa ndëshkuese Kosovës, ato do i vendosen pa marrë parasysh vendimeve tona”, ka deklaruar Bislimi.

Duke komentuar sanksionet e supozuara nga ndërkombëtarët për Kosovën, Bislimi ka thënë se me këtë rast “Kosova do të bëhej vendi i parë që diskutohet të ndëshkohet sepse e ka zbatuar ligjin”. Për sanksionet e mundshme nga ndërkombëtarët, ai ka refuzuar të flasë “hipotetikisht”, por ka shtuar se “atëherë ne do t’u përshtateshim masave”. Ai ka deklaruar se Kosova do t’i arrijë qëllimet në veri “në partneritet me ndërkombëtarët në të ardhmen”, raporton Koha.Net.

“Qeveria është në koordinim me ndërkombëtarët deri në fund që t’i elaborojmë qëndrimet dhe brengat tona dhe të bëjmë me dije që jemi të gatshëm të shkojmë deri në maksimum për akomodimin e interesave të bashkësisë ndërkombëtare, pa prekur sovranitetin”, ka përsëritur Bislimi.

Bislimi ka thënë se Qeveria është në koordinim me ndërkombëtarët, por ka shtuar se duhet të jetë më e dëgjuar nga ta. Ai ka thënë se emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak “ka lëshuar rolin e tij si ndërmjetësues”.

Ai ka thënë po ashtu se Qeveria është komode për vendimet që ka marrë. Megjithatë, ka thënë se ndihet “shumë i shqetësuar me faktin që për momentin ka pak gatishmëri nga disa persona të përfshirë në këtë proces që brengat e Kosovës të merren seriozisht, dhe ato në një farë mënyre janë subordinu interesave strategjike që kanë të bëjnë kryekëput me Serbinë, me luftën në Ukrainës, që Serbia është faktor destabilizues në rajon”.

Zëvendëskryeministri ka vlerësuar të qetë situatën aktuale. Sipas tij, situata po shkon drejt normalizimit. Ka thënë se brengat, që vendosja e kryetarëve të komunave dhe prania e Policisë nuk kanë ndryshuar, “tregojnë qartë që edhe origjina edhe zgjidhja e problemeve ka qenë jashtë Kosovës, gjegjësisht në Beograd”.

Bislimi ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë që për zgjedhje të parakohshme duhet të ketë fushatë fer në një ambient pa elemente kriminale e pa pengese që qytetarët të veprojnë bazuar në vullnetin e tyre të lirë.

Ai e ka cilësuar paradoksale që kërkesa e ndërkombëtarëve për Kosovën të jetë ajo për shtensionim. Sipas tij, ky është vetë interesimi parësor i Kosovës.

“Ne kemi interesimin kryesor që të ketë shtensionim dhe kemi gatishmërinë që të bëjmë maksimumin në këtë drejtim. Është shumë gabim nëse dikush përfundon se Qeveria e Kosovës nuk ka interesim për shtensionim. Po e përsëris, ne jemi pala që dëmtohemi më shumë nga tensionimi, ne jemi pala që do të përfitonim më së shumti nga shtensionimi. Rrjedhimisht, është e logjikshme, që ne e duam më shumë Kosovën se ndërkombëtarët. Ne duhet të jemi më të interesuar, por edhe më të dëgjuar në ofrimin e opsioneve për shtensionim”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri ka akuzuar individë ndërkombëtarë për disproporcion në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Paradoksale e ka vlerësuar kërkesën për ripërkushtim në dialog nga Kosova dhe Serbia. Sipas tij, kjo kërkesë duhet t’i adresohet Serbisë sepse “Kosova me ngulm ka kërkuar të zbatohet marrëveshja, e është Serbia ajo që po insiston që marrëveshja të mos zbatohet”.

Përgjigja ndaj Hillit

Një ditë pasi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, e kritikoi kryeministrin Albin Kurti duke thënë se ekzistojnë probleme me të, Bislimi ka ngrehur pyetjet se si mund të cilësohet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si shkelës i marrëveshjeve “partner i mirë”.

“Ndërkohë, kemi Kurtin që thotë unë dua ta nënshkruajë marrëveshje dhe palët të zbatojnë marrëveshjen. Si ka mundësi që një partner i tillë të avancohet në një partner jobashkëpunues?” ka thënë Bislimi. “Perëndimi duhet ta vlerësojë përkushtimin e Kosovës që brenda afateve kushtetuese atje të jenë institucionet demokratike që promovojnë dhe mbrojnë qytetarët në veri”.

Asociacioni

Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nuk mund të ketë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa pasur dakordim për principe.

“Ne kemi thënë, drafti është produkt kur dihet rëndësia. Nuk mund të themi që po ndërtojmë një shtëpi, pa u dakorduar a do të jetë dykatëshe apo trekatëshe. Përderisa s’ka dakordim për principe, nuk mund të ketë draft. Ne kemi insistuar që a qëndron bashkësia ndërkombëtare prapa letrës së Mogherinit, a qëndron prapa modeleve që na i kanë dërguar dhe na kanë thënë se ju i zgjidhni, a qëndron prapa qëndrimit që një draftstatut i prezantuar nga Ekipi menaxhues që kërkon kompetenca ekzekutive do të shpallet i papranueshme apo jo? Nuk i kemi përgjigjet. Ne jemi të gatshëm në maksimum të punojmë në draftimin e një statuti që adreson nevojat për vetëmenaxhim të minoritetit serb”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është kërkesë burimore e qytetarëve për t’u integruar në shoqëri.

“Opozita e rreshtuar në anën e kundër të interesit të Kosovës”

Zëvendëskryeministri Bislimi ka akuzuar opozitën në Kosovë se nuk ka dallim nga akuzat e Vuçiqit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, edhe ndërkombëtarët ua kanë thënë se opozita është e gatshme të vijë në pushtet.

“Ne kemi interesimin maksimal me i ruajt dhe me i avancu aleancat me miqtë tanë. E kemi interesimin minimal me shty agjenda të cilat e dëmtojnë interesin nacional strategjik të Kosovës vetëm për të fituar poena politikë, që fatkeqësisht po e bën opozita. Opozita iu bashkëngjit trenit të akuzave të Vuçiqit, dhe rrjedhimisht nuk ka dallim nga akuzat e Vuçiqit dhe opozitës. Është e tmerrshme, por kjo na dëmton pozicionin negociues. Kur thonë që duhet t’i dëgjojmë ndërkombëtarët deri në fund se ndryshe s’jemi shtet sovran, tregon një mentalitet të robit që për një karrige këtu nuk e ka dert deri ku zhvendosen kufijtë e shtetit. Ky ekuilibrim na ka pru në këtë situatë. Kjo na shkatërron shumë në raport me ndërkombëtarët, pasi ata [ndërkombëtarët] na thonë se ‘ja, janë disa që rrinë gati me ardhë në pozitat e juaja sepse janë në gjendje me bë gjithçka’. Në momentet më kyçe, opozita është rreshtuar në anën e kundër të interesit të Kosovës”, ka thënë ai.

“Lajçaku e ka lëshuar rolin e ndërmjetësuesit”

Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se i ka kontribuar ardhjes në pikën ku është dialogu. Sipas tij, Lajçaku e ka lëshuar rolin e ndërmjetësuesit.

“Nuk jemi të interesuar që ajo [marrëveshja] të jetë e vdekur, por të zbatohet. Frika ime është se ka një vetëdijesim në BE që me këtë president serb nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve, dhe ajo që po bëhet është kontrolli i dëmeve. Do të thotë që në atë moment që konstatohet se marrëveshja ka vdekur, askush të mos drejtojë gishtin kah Lajçaku si ndërmjetësus. Ne mendojmë se Lajçak i ka kontribuar ardhjes në kësaj pike ku jemi, pra zbatimit, e ka lëshuar rolin e tij si ndërmjetësues dhe të merret me vendimmarrje që është shumë e rrezikshme e gabueshme. Dhe me faktin që ai me mënyrën se si ka parapa hapat tutje, ka qenë personi i parë që ka heq dorë nga marrëveshja e Brukselit, apo kalimit nga një marrëveshje e normalizimit në një marrëveshje për Asociacion”, ka thënë Bislimi për Lajçakun.

Ai ka thënë se Kosova ia ka tërhequr vërejtjen Lajçakut që të kthehet në rol “dhe të ndërtojë mirë planin e zbatimit, që është plan i drejtë dhe i balancuar, e jo që i akomodon interesat e Vuçiqit”.

NË FOKUS

418182730_743633051288017_6642594476175055703_n
E dhimbshme: Kjo është gruaja që vdiq pasi u plagos me armë në Prishtinë, ishte kalimtare rasti
900-0-policia-naten-ne-shkoder-vrasje-972x579-1
E dhimbshme: Ky është i riu që u vra sonte në Prishtinë
Adriana-Matoshi-2-668x375-1
Adriana Matoshi në iftar me ish bashkëshortin dhe të birin
LAJMI-I-FUNDIT
Këta janë dy vëllezërit e dyshuar për vrasjen e rëndë në Prishtinë, ende në arrat
konf
Kështu nisi konflikti mes “Cucit” dhe vëllezërve Berisha që përfundoi me dy viktima në Kolovicë
850x600_ilustrim-shiriti-i-ndalimit-policia-e-kosoves-foto-Ridvan-Slivova-3-780x439-11619711563
Policia jep detaje për vdekjen e Triumf Feratit
vrasje
Dy meshkuj gjenden të pajetë në Prishtinë, policia jep detajet e fundit  
Tri
Personi që u gjet i vdekur në Gurrakoc është vëllai i kryetarit të Istogut