
Raporti: Egzona Shala
Situatë e qetë ka qenë këtë të premte në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut, në protestën, e cila filloi nga ora shtatë e mëngjesit. Në ditën e pestë të fillimit të këtyre protestave, çdoherë ka shkuar duke u zvogëluar numri i pjesëmarrësve.
Situatë e qetë ka mbizotëruar në ditën e pestë të protestës në Komunën e Leposaviqit.
Si zakonisht, protestuesit serbë filluan të grumbulloheshin para objektit të komunës nga ora shtatë e mëngjesit.
Edhe të premten, nuk munguan këngë nacionaliste të tyre.
Aty u pa një protestues me një pankartë në duar ku shkruante ne gjuhën angleze “Rezoluta 1244 ndihmë”.
Për rendin dhe sigurinë, si zakonisht janë kujdesur pjesëtarë të KFOR-it amerikan.
Nga ora 13:00, numri i protestuesve ka vazhduar të zvogëlohej.
Situatë e qetë ka qenë edhe në Zubin Potok.
Para objektit të komunës ka vazhduar të qëndrojë Policia e Kosovës, derisa monitorimin e vendit, KFOR-i kohë pas kohe e bënte edhe nga qielli me helikopterët e tyre.
Që nga e hëna kur kanë nisur protestat e serbëve, në disa raste ato kanë eskaluar, me ç’rast janë sulmuar zyrtarë policorë, pjesëtarë të KFOR-it, si dhe gazetarë.
Nga dhuna e përdorur janë lënduar 30 ushtarë të KFOR-it. /Gazeta10/