Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hill – Qeverisë serbe: S’ka mundësi për zgjidhje ushtarake të çështjes së Kosovës

Gazeta10
15 December 2022 - 16:42

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të enjten në Nish se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por sipas tij, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

Ai ka theksuar se nuk sheh mundësi të zgjidhjes ushtarake.

“Ajo që duhet të bëjmë është që ta qetësojmë situatën, të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë vend, ashtu që njerëzit që jetojnë atje të kenë pritshmëri të qarta se si do të duket jeta e tyre në të ardhmen. Kjo gjë mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Hill.

Ambasadori shtoi se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Beograd, e bëri të qartë se kjo është diçka që do të ndodhë, në mënyrë që njerëzit të kenë një pasqyrë të qartë se si do të jetojnë në të ardhmen në vendet ku kanë qenë prej shekujsh.

“Kjo do të krijojë kthim në normalitet, përmes të cilit do të arrihet stabiliteti në vendet ku jetojnë ata njerëz”, tha Hill.

Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Asociacioni do të formohet, se SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit, dhe se aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës. Sipas tij, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit , atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”.

Ai ka thënë po ashtu se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA-ja, dhe se shteti i tij kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 12 dhjetor se Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me paralajmërimet për dërgimin e trupave, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë./REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
05 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.