
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice, ka qëndruar paraditen e sotme në Reçak, ku është takuar me të mbijetuar të masakrës dhe ka dëgjuar rrëfimet e tyre personale.
Duke folur për proceset në Tribunalin e Hagës, ai u shpreh se mendon që prokuroria e ka trajtuar mirë këtë rast, ndonëse, sipas tij, mbetet në dorën e gjyqtarëve të vendosin nëse do të pajtohen me pretendimet e paraqitura në aktakuzë.
“Sa i përket Tribunalit të Hagës, mendoj se prokuroria e ka trajtuar këtë rast mirë. Natyrisht, nuk e dimë nëse gjyqtarët do të pajtohen me pohimet në aktakuzë”, u shpreh ai.
Nice tregoi se gjatë vizitës në Reçak ka pasur ndihmën e disa të moshuarve që kishin mbijetuar ngjarjet tragjike, përfshirë edhe një ish-komandant të UÇK-së dhe persona që kishin arritur të shpëtonin me fat.
“Ishte e vështirë ta kuptoja deri sot paradite se si një grup grash dhe burrash ishin larguar nga shtëpia e dytë, ndërsa të tjerët ishin vrarë. Shtëpia e dytë ishte më afër dhe kishte qasje të drejtpërdrejtë në fund të hendekut të përroit, ku njerëzit nga ajo shtëpi ishin dërguar dhe ishin vrarë”, tha ai.
Ai shtoi se pati rastin të dëgjojë rrëfime personale nga dëshmitarët, të cilat, sipas tij, e bëjnë edhe më të qartë përmasën njerëzore të asaj që kishte ndodhur.