
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka takuar shefin e Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral Rajmund T. Andrzejczak, raporton Gazeta10.
Mehaj ka thënë se e ka ftuar Poloninë që të jetë pjesë e “Defender 2023” në cilësinë e vëzhguesit, aktivitet ku Kosova do të jetë nikoqire.
Mehaj ka thënë se me gjeneralin polak kanë diskutuar për zhvillimet e fundit edhe në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.
Tutje, Mehaj ka thënë se synimi i Kosovës është i qartë dhe se ai është anëtarësimin në NATO dhe në BE.
Këtu keni statusin e plotë:
“Republika e Kosovës dhe Polonia aleat të paqes
Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, takova Shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral Rajmund T. Andrzejczak, me të cilin biseduam rreth çështjes aktuale të sigurisë, ndikimit që në këtë mes ka agresioni rus ndaj Ukrainës, dhe po ashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona në nivel ushtarak, përmes trajnimeve të përbashkëta të dy ushtrive dhe bashkëpunimit në fusha të tjera të cilat së shpejti do t’i definojmë përmes nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet të dyja shteteve.
Njoftova gjeneralin për gatishmërinë që kemi që të trajnojmë trupat ukrainase dhe polake në fushën e deminimit, të kërkim-shpëtimit, dhe po ashtu gatishmëtinë tonë që të dërgojmë trupa të specializuar në fushën e shëndetësisë, për të mbështetur Poloninë dhe refugjatët ukrainas që aktualisht janë të strehuar në këtë shtet.
Meqenëse jemi në proces të përgatitjeve si vend nikoqir i ushtrimit fushor “Defender 2023”, ftova gjeneralin që Polonia të jetë pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhguesit dhe të njoftohet nga afër për kapacitet profesionale dhe operacionale të FSK-së.
Synimet ynë është i përbashkët, mbrojta e paqes dhe stabiliteti ne vend, rajon dhe më gjerë.
Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO dhe BE”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10