
Forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Kuvendin Komunal të Zetës në Mal të Zi kanë iniciuar një deklaratë ku i kërkohet kësaj Komune që të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është iniciuar nga grupi i asamblistëve “Për të ardhmen e Zetës”, i drejtuar nga Fronti Demokratik, e mbështetur edhe nga Partia Popullore Demokratike, të dy forca pro-serbe dhe pro-ruse.
Sipas kësaj partie, kërkesa do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Zetës, ndërsa nga iniciuesit shprehën të bindur se ajo do të kalojë. Miratimi i mundshëm do të sillte në një situatë qesharake ku Komuna kundërshton vendimin e shtetit.
“Ne përkrahim fuqishëm vendimin e grupit të këshilltarëve komunalë ‘Për të ardhmen e Zetës’ i drejtuar nga Fronti Demokratik për miratimin e një deklarate në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin dhe pavlefshmërinë e vendimit për njohjen e të ashtuquajturit të shtetit të Kosovës në territorin e komunës së Zetës”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KosovaPress të Partisë Popullore Demokratike të Malit të Zi. /Gazeta10/