Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se mbrëmë më 28 shtator është rrahur një 20-vjeçar në një koncert që u mbajt me rastin e Ditës së Boshnjakëve në Prizren.
Por, një version tjetër e jep zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili thotë se rreth orës 22:30 “është shkaktuar një incident, rrespektivisht konfrontim fizik”.
“Nga policia janë identifikuar personat e përfshirë në rast – të dyshuarit; H.M. 20 vjeç, nga fshati Grenqare, Prizren dhe një pëtor i sigurimit”, tha Bytyqi.
Sipas informative të deritanishme, ai thotë se “H. M. ka tentuar që të hyje në hollin e salles sportive të dedikuar për mysafirë me rëndësi (të ftuar)” dhe se “i njëjti ka hasë në kundërshtim të punëtorëve të sigurimit”.
“Me këtë rast i dyshuari e sulmon fizikisht punëtorin e sigurimit duke e goditur të njëjtin me grusht në fytyrë. Punëtori i sigurimit i kundërpërgjigjet dhe për pasojë të dy personat kanë pësuar lëndime trupore”, tha ai.
Të dy, siç tha zëdhënësi, “janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale”.
“Për të gjitha është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me udhëzimin e tij është inicuar rast i klasifikuar si vepër penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, tha ai.
“Të dyshuarit pas intervistimit janë liruar kurse kundër tyre, pas përfundimit të të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, do të ngritet kallëzim penal”, tha Bytyqi.