Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Një tronditje, si në ditën që u zhdukën” – Vëllai i Salih Mëziut emocionon: Tani e dimë ku t’i gjejmë

Gazeta10
22 September 2026 - 19:07

Në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Habib Mëziu ka rrëfyer për 27 vitet e pritjes dhe ankthit për fatin e vëllait të tij, Sali Mëziut, një prej intelektualëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mëziu ka thënë se tashmë është konfirmuar gjetja e familjarëve të tij, ndërsa është identifikuar i pari dhe familja është në pritje që të identifikohen edhe të tjerët.

“Për 28 vite kemi qenë në ankth dhe pritje. Tani u konfirmua se janë gjetur. I pari u identifikua dhe presim edhe të tjerët”, ka thënë ai,

Duke folur për vëllain e tij, ai ka treguar se Saliu ishte rreth gjashtë vjet më i ri se ai dhe se gjatë luftës ishte angazhuar në ndihmë të familjeve dhe popullsisë.

“Vëllai ka qenë më i ri se unë, diku gjashtë vite. Ka qenë moshë e mirë, moshë rinore, dhe ka qenë në moshën më të mirë që është flijuar për këtë vend. E ka dhënë edhe pikën e gjakut të fundit. Gjatë luftës është marrë me evakuimin e familjeve, qoftë fizikisht me traktor, por edhe me furnizimin me ushqime. Dihet sa e vështirë ka qenë në një kohë të tillë lufte të furnizoje familjet me ushqime e pije”, ka rrëfyer ai.

Habib Mëziu ka treguar se momenti kur kanë marrë lajmin për nisjen e gërmimeve ka qenë tejet i rëndë për familjen, duke ua rikthyer edhe një herë dhimbjen e ditës kur të afërmit e tyre ishin zhdukur.

“Ndjenja në fillim, kur filluam të merrnim vesh për gërmimet, ka qenë tronditje, sikur ditën kur janë zhdukur. Nuk kam lënë gur pa rrotulluar për ta zbardhur fatin e tyre, qoftë në Shqipëri, Maqedoni e Veriut apo Mal të Zi. Dhe ndjenjat që i kemi sot, kur më në fund u gjetën, janë të përziera. Relativisht, tash ajo pritje dhe ankth pushojnë aty”, është shprehur Mëziu.

Ai ka thënë se familja ka dashur gjithmonë të dijë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

“Ne kishim pasur shumë qejf ta dinim se si ka ndodhur. Për 28 vite kemi jetuar me atë pyetje. Ndjenjat janë të përziera, sepse si kryefamiljar, duke mos qenë gjithmonë këtu, e ke një barrë shumë të rëndë. Jemi munduar në format më të mira të mundshme të bëjmë më të mirën, por sa ia kemi dalë, atë e vlerësojnë të tjerët”, ka thënë ai.

Mëziu ka treguar gjithashtu se për zbardhjen e fatit të familjarëve të tij ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë, duke angazhuar avokat në Beograd dhe duke kërkuar vazhdimisht informacion për fatin e tyre.

“Ndjenjat për zhdukjen e tyre kanë qenë të tmerrshme. Kam angazhuar edhe avokat në Beograd. Çdoherë kam pasur kontakte me ata që janë marrë me këtë çështje. Kam thënë se janë përgatitur për më të keqen, ndërsa më e keqja tashmë doli dhe shihet se ku kanë përfunduar”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se familja, për vite me radhë, nuk ka mundur të gjejë qetësi për shkak të pasigurisë rreth fatit të të zhdukurve.

“Mosha e tyre ka qenë rinore. Edhe sot e kësaj dite unë nuk ndihem i qetë asnjëherë, as i relaksuar. Por, në anën tjetër, lufta i ka këto sfida”, ka thënë Habib Mëziu.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.