
Analisti politik Fidan Rama ka komentuar rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke vlerësuar se PDK nuk ka shënuar ndonjë rritje domethënëse në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas Ramës, ai personalisht nuk ka pritur që PDK të kalojë shifrën prej 196 mijë votash. “Aktualisht numri është rreth 184 mijë vota. Në diasporë nuk besoj se mund të kalojë mbi 12 mijë vota, çka nënkupton se PDK vështirë se e kalon rezultatin e 9 shkurtit”, tha ai.
Rama theksoi se ndryshimet në krye të partisë, përfshirë dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe emërimin e Bedri Hamzës kryetar, nuk kanë prodhuar efekt elektoral. “PDK nuk është se ka bërë ndonjë lëvizje të madhe, ka mbetur aty ku është”, u shpreh ai.
Ai e cilësoi si gabim strategjik mospërfshirjen e Nismës në garë të përbashkët, duke vlerësuar se kjo i ka kushtuar PDK-së rreth 6 mijë vota.