
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsionet për një paketë sanksionesh kundër Kinës për ta penguar atë nga pushtimi i Tajvanit, me Bashkimin Evropian që do të vihet nën presionin diplomatik nga Taipei për të bërë të njëjtën gjë, sipas burimeve të njohura me diskutimet, shkruan Reuters, transmeton Gazeta10.
Burimet thanë se diskutimet në Uashington dhe lobimi i veçantë i Taipeit ndaj të dërguarve të BE-së ishin të dyja në një fazë të hershme – një përgjigje ndaj frikës së një pushtimi kinez që është rritur ndërsa tensionet ushtarake përshkallëzohen në ngushticën e Tajvanit.
Në të dyja rastet, ideja është të merren sanksione përtej masave të marra tashmë në Perëndim për të kufizuar disa tregti dhe investime me Kinën në teknologjitë e ndjeshme si çipat kompjuterikë dhe pajisjet e telekomit.
Burimet nuk dhanë asnjë detaj se çfarë po shqyrtohet, por nocioni i sanksioneve mbi ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe një nga hallkat më të mëdha të zinxhirit të furnizimit global ngre pyetje të fizibilitetit.
“Vendosja e mundshme e sanksioneve ndaj Kinës është një ushtrim shumë më kompleks sesa sanksionet ndaj Rusisë, duke pasur parasysh ndërthurjen e gjerë të SHBA-së dhe aleatëve me ekonominë kineze”, tha Nazak Nikakhtar, një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Tregtisë së SHBA-së. / Gazeta10.