
Ambasadori dhe miku i njohur i Kosovës, William Walker, i ftuar sonte si musafir special në emisionin Politiko, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë për të rinjtë,shkruan Gazeta 10.
Walker tha se për të gjitha gjeneratat, e veçanërisht për rininë, dëshiron t’i përcjellë popullatës së Kosovës se sa të suksesshëm kanë qenë në ndërtimin e një shembulli të një shteti demokratik bashkëkohor. Sipas tij, Kosova i ka të gjitha veçoritë e një demokracie funksionale: lirinë e shprehjes, lirinë e besimit, një sistem drejtësie që funksionon dhe respekt për policinë.
“Nuk di si ta përshkruaj Kosovën ndryshe përveçse si një gur të çmuar të demokracisë”, u shpreh Walker, duke shtuar se shpreson që qytetarët dhe institucionet do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për t’i treguar botës se çfarë është arritur në Kosovë, kur iu është dhënë mundësia.
Ai theksoi se gjithmonë mbetet i impresionuar kur takohet me kosovarë në kryeqytete të ndryshme të botës, qofshin ata refugjatë pas luftës në Shtetet e Bashkuara, Gjermani apo vende të tjera. Sipas Walkerit, sapo kosovarëve u jepet mundësia, ata realizojnë gjëra të mrekullueshme dhe të pabesueshme.
Në fund, ambasadori i inkurajoi qytetarët që të vazhdojnë betejën politike jo vetëm me botën e jashtme, por edhe brenda vendit. Ai vlerësoi si pozitive faktin që Kosova ka një numër të madh partish politike që nuk pajtohen për çështje të ndryshme, duke theksuar se pikërisht ky është parimi kryesor i një demokracie që funksionon në praktikë./Gazeta 10
Deklarata e plotë: