Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“5 tunele, 11 nënkalime” – Zëvendësministrja tregon detaje nga ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë

Gazeta10
19 August 2026 - 20:24

Autostrada Shkup–Bllacë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që synon të afrojë edhe më shumë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, po hyn në një fazë të re të realizimit.

Për rëndësinë e këtij projekti, detajet e punimeve dhe sfidat që paraqet terreni malor, për “Gazetën” në Kanal10 foli zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli-Shaqiri.

Ajo theksoi se kjo autostradë nuk është vetëm një lidhje infrastrukturore mes dy vendeve, por edhe një lidhje e drejtpërdrejtë mes qytetarëve, duke pasur parasysh lidhjet familjare dhe farefisnore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Është lidhja jonë me të gjithë fqinjët, aq më tepër edhe për shkak të lidhjeve familjare e farefisnore që i kemi në Kosovë. Është një ndër rrugët më të frekuentuara dhe për këtë arsye autostrada duhet ta shkurtojë shumë lëvizjen mes dy vendeve tona”, u shpreh Zekolli-Shaqiri.

Ajo tha se për realizimin e projektit është përzgjedhur kontraktuesi dhe se Qeveria, sipas saj, do të ketë vëmendje të vazhdueshme për përfundimin e punimeve.

“Me faktin që mjetet janë të ndara, kemi një kontraktues serioz dhe si qeveri kemi vëmendjen që ky projekt të realizohet deri në fund”, tha zëvendësministrja.

Por ndërtimi i kësaj autostrade nuk paraqet një sfidë të vogël inxhinierike. Traseja kalon nëpër një terren të theksuar malor dhe projekti përfshin një numër të madh veprash infrastrukturore.

“E kemi një terren malor, një vend i cili mund të ketë shumë të papritura. Kemi pesë tunele, 11 nënkalime, katër galeri dhe mure mbajtëse”, deklaroi Zekolli-Shaqiri./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.