
Raporti: Kanal10
Punëtorët e sektorit publik po vazhdojnë të mos e dinë se sa do t’u del paga e muajit shkurt. Kjo pasi ende nuk është publikuar vlera e koeficientit e cila edhe përcakton pagën e tyre bazuar në Ligjin e Pagave. Përfaqësues të tyre kanë kërkuar që vlera e koeficientit të jetë 132 euro, derisa kanë thënë se Ligjin e Pagave do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk u merren për bazë kërkesat e tyre.
Ekzekutivi edhe më tej po vazhdon të mos publikoj vlerën e koeficientit i cili përcakton se sa do të paguhen punëtorët e sektorit publik nga muaji i ardhshëm.
Përfaqësues të këtyre të fundit po kërkojnë që vlera e një koeficienti të jetë mbi 130 euro, derisa po paralajmërojnë se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, Ligjin e Pagave do ta dërgojnë në kushtetuese.
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, Ali Sefaj, ka thënë se koeficienti duhet të kap vlerën prej 132 eurove.
Sipas tij, nëse koeficienti do të jetë nën 120 euro, atëherë përmes Avokatit të Popullit do të dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se janë të shqetësuar që vlera e koeficientit po mbahet e fshehtë.
Sipas tij, e njëjta duhet të jetë e pranueshme për të gjithë dhe se duhet të ketë rritje të pagave në të gjithë sektorët.
Ligji për Pagat në sektorin publik është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani më 4 janar të këtij viti, derisa i njëjti pritet të hyjë në fuqi pas një muaji.
Kryeministri Albin Kurti pati thënë se vlera e koeficientit do të bëhet publike gjatë muajit janar. / Kanal10