
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në Adresa ka folur për qëndrimin e tij ndaj proceseve gjyqësore dhe vrasjeve politike.
Ai theksoi se në LDK e ndjejnë trajtimin e çështjes së vrasjeve politike, por sipas tij, nuk duhet që kjo të lidhet me një proces të caktuar gjyqësor.
“Unë jam kundër denoncimeve që bëhen, por të mos nxisim. Nuk kam nxitur asnjëherë proceset gjyqësore. T’i lëmë si të tilla. Besoj që më mirë është të mos përfshihemi ne si parti politike”, tha Abdixhiku.
“Ne në LDK e ndjejmë trajtimin e vrasjeve politike, por jo të lidhura me një proces të caktuar”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se merr pjesë si në përkujtimet për luftën, ashtu edhe në ato për viktimat e vrasjeve politike.
“Unë, posa shkoj në përkujtime të luftës, shkoj edhe në përkujtime të vrasjeve politike. Ata janë familje shqiptare të Kosovës. Pasardhësit e tyre i kam në Kryesi e deputetë. E nëse asgjë tjetër, bashkë jam me ta”, deklaroi Abdixhiku.