
Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar para pak minutash se është i hatshëm që së bashku me drejtoreshën e Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flok të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se është normale që edhe kushdo tjetër nga SBAShK-u të shkojë në takim së bashku me Flokën.
“Por, nëse ajo e sheh të rrugës që të merr njerëz profesional nga fusha, sepse unë po deklaroj publikisht që ka sfera që unë s’i njoh, dhe cilido nga SBAShK-u që do ta shoqërojë Flokën do të shkojë për të dhënë kontribut”, ka thënë Jasharaj.
Tutje, Jasharaj ka thënë se paraqitjet që i janë dhënë për ta janë të vrazhda dhe fyese.
“Ai s’është anëtar i këtij komisioni dhe unë e kam përcjellur, paraqitjet e tij janë të vrazhda e fyese dhe është ai që jep vlerësime se a i kemi 67 apo 68% të njerëzve tanë analfabet”, ka deklaruar ai më tej.
Jasharaj ka thënë se nuk dëshirojnë tensione.
“Debati i tij nxiti edhe tensionime. Ne nuk jemi që të ketë tensionime. Nëse po thonë se i kemi 67% analfabetë, atëherë pse po duan t’i hapin shkollat?”, është shprehur Jasharaj.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit janë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre.
Ministria e Financave ua kishte ndalur pagat grevistëve fillimisht por më pas është tërhequr nga ky vendim pasi është kundërshtuar ashpër nga ana e subjekteve opozitare dhe shoqërisë civile.
Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por nuk ka pasur ndonjë rezultat pas takimit. Greva vazhdon. / Gazeta10