
Komentatori politik, Fidan Rama, në “Politiko” ka deklaruar se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, gara do të zhvillohet kryesisht mes PDK-së, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa nuk përjashtoi as AAK-në nga konkurrenca në disa komuna.
Sipas tij, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, këtë herë Vetëvendosje hyn në garë për vendin e parë apo të dytë, duke qenë një faktor serioz në skenën lokale.
“Ka tri parti politike që do të jenë boshti kryesor i garës — në këtë rast e fus edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse LVV në vitin 2021 ka qenë jashtë opsionit që të garojë si partia e parë apo e dytë, unë besoj që në këto zgjedhje hyn në këtë mes. Natyrshëm, tradicionalisht PDK, LDK pa e përjashtuar edhe AAK-në. Në garë janë LVV, PDK, LDK, por në përparësi e shoh prapë PDK-në për shkak të organizimit të brendshëm dhe të bastioneve që ka të shpërndara, por LVV-ja do të marrë komuna të reja,” tha Rama.
Rama theksoi se organizimi i PDK-së në terren dhe bastionet tradicionale mund t’i japin asaj epërsi, por dinamika e re e Vetëvendosjes pritet të sjellë surpriza në disa komuna të rëndësishme./Gazeta10