
Raporti: Bleona Dallaveraj
Për disa orë u diskutua gjetja e një zgjidhje për të ndërprerë grevën, por as kjo periudhë nuk u mjaftoi përfaqësuesve të SBASHK-ut dhe anëtarëve të Komisionit për Arsim, që të arrijnë një marrëveshje.
Propozimi i Kryetarit të Komisionit, Ardian Gola për mos notimin e nxënësve, nuk arriti të gjejë mbështetje nga pjesa dërrmuese e këshillave sindikal.
Megjithatë, nga SBAShK-u ka thënë se ata kanë dhënë edhe propozime tjera, derisa mbesin të hapur që të diskutojnë për të gjetur zgjidhje që mësimi të filloj sa më shpejtë.
Nga ana tjetër, anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha ka thënë për televizionin se SBAShKu është tërhequr nga kërkesa për ndarjen e 100 eurove deri në miratimin e Ligjit për Pagat, derisa ka kërkuar nga Qeveria që të gjejë zgjidhje që nxënësit të kthehen në shkolla.
Të dielën bëhen një muaj prej se sindikata e arsimit ka hyrë në grevë dhe përkundër takimeve të ndryshme, duke përfshirë edhe përpjekjet e sindikatave simotra nga vendet e BE-së që të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshje, dyja palët kanë mbetur të barrikaduara në qëndrimet e tyre. / Kanal10