
Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku miratoi disa vendime dhe projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Një nga vendimet lidhet me angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin KFOR në Kosovë, me një kontingjent prej 17 ushtarakësh dhe një helikopter.
Qeveria miratoi gjithashtu një shtesë në vendimin e vitit 2020 që përcakton dokumentacionin dhe rregullat e hollësishme për evidentimin e ndërtimeve pa leje.
L
Në mbledhje u miratua edhe dhënia e mendimit të Kuvendit për një projektligj joqeveritar që parashikon ndryshime në ligjin “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.
Një tjetër vendim lidhet me ndryshime në rregulloren për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe emërimi i Mario Keputës në detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit.
Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.
Projektligji përcakton rregullat për krijimin, administrimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.