Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Blerim Grainca: Zgjedhjet në LDK po mbahen në rrethana jo normale, pas një debakli zgjedhor

Gazeta10
29 January 2026 - 20:58

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme në këtë parti nuk po mbahen në kushte dhe rrethana normale, duke theksuar se ato zhvillohen pas një humbjeje të rëndë në zgjedhjet e fundit, shkruan Gazeta 10.

Sipas Graincës, procesi po zhvillohet në një klimë pakënaqësie brenda anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, të cilat kanë reaguar ndaj kryesisë qendrore duke kërkuar përgjegjësi për rezultatin zgjedhor.

“Këto zgjedhje nuk mbahen në kushte normale. Ato po zhvillohen pas një debakli zgjedhor dhe një humbjeje në zgjedhjet e fundit, çka ka nxitur reagimin e anëtarësisë dhe strukturave të partisë për të kërkuar llogaridhënie nga udhëheqja qendrore,” u shpreh Grainca në Politiko.

Ai theksoi se situata do të ishte ndryshe nëse LDK do të kishte dalë fituese nga zgjedhjet, pasi në atë rast do të diskutohej për meritokracinë dhe meritat e lidershipit aktual.

“Në rrethana të një fitoreje do të flisnim për meritokraci dhe për meritat e udhëheqjes. Mirëpo, në një situatë kur nuk kemi rezultat të kënaqshëm dhe nuk janë arritur shifrat e synuara nga LDK, natyrshëm lindin kërkesa dhe dilema që çojnë drejt mundësisë së ndryshimeve përmes Kuvendit të LDK-së,” theksoi ai.

Grainca shtoi se për zhvillimet që do të ndodhin në Kuvendin e LDK-së, i cili do të mbahet të shtunën, ekzistojnë mendime dhe opinione të ndryshme brenda partisë./Gazeta 10

Deklarata e plotë:

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.