Ndryshimet në rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit në Qendrën e Rinumërimit në Prizren, si dhe në disa komuna të tjera, kanë ngritur dyshime serioze se gjatë procesit zgjedhor mund të ketë pasur manipulime me vota.
Raste të tilla janë evidentuar edhe në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për të cilat analisti politik Fidan Rama ka paralajmëruar pasoja të mëdha politike. Duke folur në emisionin Politiko, Rama tha se këto zhvillime do ta dëmtojnë edhe më shumë besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe të subjekteve politike të përfshira.
Sipas tij, situata bëhet edhe më e ndjeshme në një kohë kur vendi pritet së shpejti të hyjë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
E sipas tij, pas certifikimit të rezultateve, situata parlamentare nuk do të duhej të paraqiste pengesa për krijimin e institucioneve.
“Në këta numra që i ka VV-ja, në parim nuk do të duhej të ishte problem votimi i kryetarit të Kuvendit. Rrjedhimisht, meqenëse i ka numrat, mund ta formojë edhe Qeverinë brenda ditës”, tha ai.